Ruga Luigj Gurakuqi, Lezhë 4501
+35521522332
+35521522235

Dhoma

Profili i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë,Qarku Lezhë

Hyrje

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Qarku Lezhë është person juridik,që ushtron veprimtarinë e saj bazuar në ligjin Nr. 9640 date 9.11.2006 ”Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë” dhe të legjislacionit shqiptar në fuqi. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Lezhë është person juridik, që nuk ushtron veprimtari fitimprurëse. Selia e Dhomës ndodhet në Lezhë.Dhoma ushtron aktivitetin në Qarkun e Lezhës dhe kompetencat e saj shtrihen brenda territorit të këtij qarku (ku përfshihen 3 rrethe Lezhë,Kurbin e Mirditë), sipas përcaktimit të Ligjit nr.8653 “Për ndarjen administrativo-territoriale”

Organi përfaqësues dhe vendimarrës i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Lezhë është Asambleja Përfaqësuese , Kryesia , Kryetari dhe Sekretari.

Në vitin 2007 Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Lezhë ka hartuar Statutin e Ri ,i cili është miratuar me vendim të Asamblesë së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Qarku Lezhë dhe ka hyrë në fuqi menjëherë pas miratimit nga Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës.

Statuti i Dhomës përcakton parimet mbi të cilat bazohet aktiviteti i Dhomës si dhe kompetencat, funksionet dhe përbërjen e organeve të saj.

Objekti i veprimtarisë së Dhomës

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Qarku Lezhë, brenda kompetencave të përcaktuara në ligjin “Për Dhomat e Tregtisë”, është e pavarur në realizimin e objektit kryesor të veprimtarisë së saj si dhe në ushtrimin e detyrave të caktuara.

* Dhoma ushtron brenda territorit të saj, funksione në mbështetje të interesave të përgjithshme ekonomike të anëtarëve të saj, me përjashtim të kompetencave,që ligji ia njeh administratës shtetërore dhe asaj lokale.

* Gjatë veprimtarisë së saj, Dhoma nxit veprimtarinë tregtare e industriale në vend, si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me vendet e tjera.

* Dhoma shkëmben vazhdimisht informacione me administratën publike në nivel qëndror dhe lokal, për nxitjen dhe zhvillimin e bizneseve në territorin ku ushtron veprimtarinë.

* Një objektiv tjetër i veprimtarisë së Dhomës është promovimi dhe realizimi i shërbimeve me interes të përgjithshëm, në dobi të anëtarëve të saj.

* Dhoma ushtron gjithshtu funksione që i delegohen nga pushteti qëndror dhe ai lokal, si dhe ato që parashikohen nga marrëveshjet ndërkombëtare.

Kompetencat e Dhomës

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka këto kompetenca:

Ndërmerr çdo veprimtari, që i shërben nxitjes dhe mbrojtjes së tregtisë dhe industrisë, në përputhje me objektin e veprimtarisë së saj dhe legjislacionin në fuqi.
Jep mendime, propozime dhe vlerësime për nismat ligjore apo politikat publike, të ndërmarra nga administrata qendrore, vendore dhe subjektet e tjera publike, përmbajtja e të cilave prek interesat e anëtarëve të saj.
Informon autoritetet përkatëse shtetërore për çështje të ndryshme, me qëllim parandalimin e konkurrencës së pandershme.
Mbikëqyr zbatimin e rregullave të pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare jashtë vendit nga subjektet tregtare, që përfaqësojnë vendin tonë në këto panaire.
Organizon dhe/ose merr pjesë në panaire dhe ekspozita me karakter vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar.
Krijon komisione këshilluese për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet anëtarëve të saj.
Nxit dhe ndihmon anëtarët e Dhomës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, tregtare dhe civile, nëpërmjet rrugës së ndërmjetësimit dhe arbitrazhit.
Mban regjistrin e anëtarësisë si dhe kryen funksione të tjera administrative në shërbim të anëtarëve të saj.

Forma të bashkëpunimit dhe të integrimit

– Për arritjen e objektivave të saj, Dhoma bashkëpunon me administratën shtetërore, qëndrore dhe lokale, me institucione ndërkombëtare si dhe me shoqata dhe organizata të biznesit, vendase dhe të huaja.

– Dhoma mund të marrë pjesë dhe të nëshkruajë marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi, të jetë pjesëmarrëse në programe dhe në projekte të ndryshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, me qëllim zhvillimin dhe integrimin europian dhe më gjerë të sipërmarrjes shqiptare.

– Si anëtare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, Dhoma merr pjesë në të gjitha inisitivat që kanë për synim zhvillimin dhe promovimin e biznesit shqiptar.

– Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Lezhë mund të anëtarësohet në organizma ndërkombëtarë të dhomave të tregtisë.

– Dhoma gjithashtu mund te krijojë marrëdhënie partneriteti me dhoma të tjera të huaja, në kuadrin e programeve të përbashkëta.

Anëtarësimi në Dhomë

Anëtarësia në Dhomë është e detyrueshme për ndërmarrjet shtetërore, si dhe për personat juridikë, të regjistruar në regjistrin tregtar. Anëtarësimi është vullnetar për personat fizikë, me cilësinë e tregtarit, që ushtrojnë veprimtari tregtare, industriale.

Anëtarësimi është i përvitshëm dhe fillon nga data 1 Janar dhe përfundon në 31 Dhjetor. Anëtarët e Dhomës pajisen me çertifikatën e anëtarësimit.

Organet tatimore, gjatë veprimtarisë së tyre kontrolluese, detyrojnë subjektet tatimore që të jenë anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, sipas ligjit për Dhomat e Tregtisë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Lezhë është kthyer në identitetin e saj falë punës dhe përkushtimit të drejtuesit dhe stafit të kualifikuar.Dhoma ka rritur dhe profesionalizuar të gjitha shërbimet që i ofron biznesit të Qarkut të Lezhës,duke marrë fizionominë modele si të Dhomave bashkëkohore europiane.

Dhoma ka organizuar panaire në evenimentet më të rëndësishme rajonale dhe ka qënë pjesëmarrëse në panaire kombëtare dhe ndërkombëtare;ka realizuar takime me delegacione të huaja,që kanë shprehur interes për investime në rajonin e Lezhës,tryeza debatesh e diskutimesh me biznesmenë dhe autoritete qendrore e lokale,seminare e trajnime me biznesmenë në fusha të ndryshme dhe të rinj me qëllim profesializimin e tyre dhe orientimin e biznesit drejt politikave bashkëkohore,si faktor bazë për zhvillimin e rajonit të Lezhës,si dhe implementimin e Dhomës si anëtare e Forumit të Dhomave Adriatik-Jon dhe si partnere dinjitoze në realizimin e shumë projekteve si: ROSA,ADRIA,PIN.SPIF,PRO.S.IT-ALBA.

Puna e përkushtuar,rritja e gamës së shërbimëve dhe aktiviteteve,stafi i kualifikuar për t`iu përgjigjur kërkesave të biznesit lezhjan,të gjitha këto kanë ndikuar në rritjen e numrit të anëtareve si dhe të autoritetit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë,Qarku Lezhë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Lezhë do të vazhdojë të jetë për të gjithë ju biznesmenë partneri juaj më i besuar për përballimin e të gjitha sfidave dhe orientimin drejt politikave bashkëkohore për një zhvillim të qëndrueshëm të biznesit dhe të rajonit të Lezhës.

Stafi i Dhomës:

Pashk Paloka – Kryetar

Arben Ndoka – Sekretar i Përgjithshëm

Terezina Bilaçaj – Financiere

Etleva Biba – Përgjegjëse shërbimesh