Ruga Luigj Gurakuqi, Lezhë 4501
+35521522332
+35521522235

Historiku

Lashtesia

Banimet e para në trojet e rajonit të Lezhës sipas historisë së shkruar datojnë që nga shekulli i IV (p.l.K.). Fiset e para që kanë populluar këto troje janë: Arbrenjtë, Pirustët, Ardianët, Albanët dhe Parathinët.

 

 

Lezha

Lezha është një qytet 2500 vjeçar. Qyteti antik i Lissusit mori formën e tij të plotë në vitin 59 p.l.K dhe është ndërtuar me pamjen e tij të sotme sipas porosive të Jul çezarit. Qyteti shtrihej në këmbë të dy lartësive që bien në sy për së largu si Mali i Shelbuemit (410m) e kodra e Kalasë (186m). Qyteti është ngritur në tre taraca nga kodra e Kalasë e deri buzë lumit Ardaksan (Drini i sotëm), në formën e një amfiteatri të bukur me fytyrë nga deti Adriatik që zinte një sipërfaqe prej 20ha tokë. Fillonte me Akropolin në kodrën e kalasë së sotme, vazhdonte me qytetin e mesëm dhe zbriste në qytetin e poshtëm deri në Ardaksan. Perimetri i mureve të qytetit ishte 2,5 km.

Deri tani në këtë qytet janë zbuluar 13 porta e mbi 52 kulla mbrojtëse me sheshe të ndertesave të banimit, tempujve, gjimnasiumeve, lojrave gjimnastikore, hipodrumeve dhe qendrave administrative civile dhe ushtarake. Lartësia e mureve rrethuese shkonte deri në 8m, gjerësia 2-2,5m. Muret ngriheshin pa lidhje llaçi, vetëm me gurë gelqerorë me përmasa të mëdha mbi 1x1m,të gdhendur dhe të daltuar me mjeshtëri të rrallë e të ngritur në mure në mënyre perfekte. Mendohet të kenë punuar mbi 300 mjeshtra e 1500 skllevër për ndërtimin e këtij qyteti të lashtë. Sipas historinëve dhe arkeologëve qyteti i Lissusit njihet si një ndër qytetet më të mëdha të Ilirisë Jugore.Pjesë e Lissusit është dhe Akrolisi mbi majën e Shelbuemit.

Nërkohë një qytet bashkëkohes me Lissusin është edhe Nimfeumi (Shëngjini i Sotëm). Në mesjetë ky qytet njihej me emrin San Giovani di Medua.  Ky qytet ka qënë koloni helene.

 

 

Kurbini

Ky emër ndeshet që në epokën e Skendërbeut. Në dokumentat historike Kurbini përmendet për herë të parë në vitin 1421 dhe 1431 pas lindjes së Krishtit me emrin Korbin, Korbino dhe Kurbin. Gjithashtu është njohur me emërtimin Diva ose Divast që shtrihej nga deti Adriatik në perëndim e deri në kodrën Kolike, gurin Hur dhe kalanë e Sebastes në lindje. Laçi i sotëm e ka origjinën nga qyteti i Divazëve,Divas ose Dyaul. Sipas Atë Shtjefen Gjeçovit,Laçi i sotëm është ngritur në rrënojat e qytetit të lashtë të Basanies.

 

 

Mirdita

Mirdita ruan në gjirin e saj dëshmi të jetës së banorëve të saj që nga periudhat më të lashta e deri në ditët e sotme duke hedhur dritë në historinë Ilire-Arbërore të Shqipërisë. Mirdita dhe dera Princore e sajë janë të njëherëshme në histori. Dera princore e Mirditës përfaqësohet nga Gjon Markaj që njihet me emrin Kapedani i Mirditës.

Rrësheni u krijua si qytet dhe qendër administrative e Mirditës me 15.04.1949.Më përpara qendër e Mirditës ka qenë Oroshi dhe më vonë Shpali.

Kalatë dhe Kështjellat

Rajoni i Lezhës është ndër më të pasurit në Shqipëri me kalatë Iliro-Arbërore.

Kalaja e Lezhës është  ndër më të lashtat duke datuar që nga shekulli i VIII, e cila është e njëkohshme me kalatë, Rozafat, Danjë dhe Krujë. Në vitin 1440 Venedikasit e ndërtuan këtë kala me pamjen që ka sot. Pas pushtimit turk në vitin 1522 kalaja u ndërtua nga Sulltan Sulejman Selim Bajazit Han.

Në Kurbin njihen këto kala:Daules (Skuraj), e Sebastijes (Laç) dhe e Pervizit.

Në Mirditë:Meshurdhi (Gjashte simon), Kunorës (Gëziq), e Rubikut, Rrëjë e Velës. Kullës së Barotit(Rrasfik), Kodër Rrëshen, Qafë –Malit

Ngjarjet historike

Ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme historike për rajonin e Lezhës është Kuvendi Historik  që u mbajt në Lezhë me 2 mars 1444 me inisiativën e Gjergj Kastriotit (Skenderbeut). Besëlidhja e Lezhës hodhi themelet e bashkimit të popullit shqiptar në luftën e madhe shqiptaro-turke duke u bërë mburojë e pa kapërcyeshme e truallit arbëror.

Me 17 janar 1468 vdiq në Lezhë heroi ynë kombëtarë Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), që u varros në katedralen e Shënkollit në qender të qytetit të Lezhës, i mbuluar me lavdi të përjetshme. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje u ngrit në vitin 1981 Përmendorja e Vendvarrimit të Skenderbeut mbi rrënojat e kishës së Shënkollit

Me 5 shtator 1478 pasi ra Kruja e Kurbini ra dhe Lezha që u pushtua nga turqit. Ata i vunë zjarrin qytetit duke shkatërruar e djegur gjithçka. Pushtimi turk zgjati 5 shekuj(1478-1912).

Kryengritja e Lezhës dhe ekspedita e Skënderbeut të Ri në vitet 1499-1506 është një ngjarje tjetër e rëndesishme në historinë e Lezhës.

Ndërkohë kryengritjet e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës ishin prelud i kryengritjes së madhe shqiptare  të viteve 1862, 1876-1877 në luftën për lirinë dhe pavarësinë kombëtare.

Gjatë periudhës 1878-1912 u bënë kuvende për bashkimin e popullit shqiptar.

Në fundin e shek.XVII lindën bajraqet si një progres për vetëqeverisjen vendore, vetëm në Mirditë u krijuan 12 bajraqe.

Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit me 10 qershor 1878, Lezha, Kurbini dhe Mirdita u përfaqësuan denjësisht me delegatët e tyre.

Në kryengritjen përgjithshme shqiptare të viteve 1910-1912 treva jonë pati një vend parësorë. Qendra e veprimeve luftarake që nga 5 qershor 1912 e deri në shpalljen e pavarësisë kombëtare u bë Bregu i Matës ku u zhvilluan 15 beteja të mëdha kundër pushtuesve turq.

Në luftën antifashiste këto zona kanë dhënë kontributin e tyre tepër të çmuar për çlirimin e vendit.