Ruga Luigj Gurakuqi, Lezhë 4501
+35521522332
+35521522235

Statuti

KREU I

DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Neni 1

Objekti i Statutit

Ky Statut përcakton parimet bazë të funksionimit të Dhomës, personaliteti juridik, objektivat, dhe kompetencat e së cilës rregullohen nga Ligji nr. 9640 “Per Dhomat e Tregtise dhe Industrisë”.

Neni 2

Statusi Juridik, Selia dhe Vula

Dhoma e Tregtise dhe Industrisë Lezhe eshtë person juridik, që nuk ushtron veprimtari fitimprurëse. Selia e Dhomës ndodhet në Lezhe Sheshi “Gjergj Kastrioti”. Selia e Dhomës mund të ndryshojë me vendim të organeve drejtuese të saj.

Dhoma ushtron aktivitetin e saj në Qarkun e Lezhe dhe kompetencat e saj shtrihen brenda territorit të ketij qarku sipas përcaktimit të Ligjit nr.8653 “Per ndarjen administrativo-territoriale” me ndryshimet perkatese.

Vula zyrtare e Dhomes eshte ne forme te rrumbulleket me diameter 35 mm ,

ne qender te saj eshte e vendosur stema rreth te ciles shkruhet: Republika e Shqiperise Dhoma e Tregtise dhe Industrise Lezhe – Albania”.

Neni 3

Objekti i Veprimtarisë së Dhomës

Dhoma e Tregtise dhe Industrise-Qarku Lezhe, brenda kompetencave të përcaktuara në ligjin “Për Dhomat e Tregtisë”, është e pavarur në realizimin e objektit kryesor të veprimtarisë së saj si dhe në ushtrimin e detyrave të caktuara.

Dhoma ushtron brenda territorit të saj, funksione në mbështetje të interesave të pergjithshme ekonomike të anëtarëve të saj, me perjashtim të kompetencave që ligji ia njeh administratës shtetërore dhe asaj lokale.

Gjatë veprimtarisë së saj, Dhoma nxit veprimtarinë tregtare e industriale në vend, si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me vendet e tjera.

Dhoma shkëmben vazhdimisht i informacione me administratën publike në nivel qëndror dhe lokal, për nxitjen dhe zhvillimin e bizneseve në territorin ku ushtron veprimtarinë.

Një objektiv tjetër i verpimtarisë së Dhomës është promovimi dhe realizimi i shërbimeve me interes të përgjithshëm, në dobi të anëtarëve të saj.

Dhoma ushtron gjithshtu funksione që i delegohen nga pushteti qëndror dhe ai lokal, si dhe ato që parashikohen nga marrëveshjet ndërkombëtare.

Neni 4

Kompetencat e Dhomës

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka këto kompetenca:

Ndërmerr çdo veprimtari, që i shërben nxitjes dhe mbrojtjes së tregtisë e industrisë, në përputhje me objektin e veprimtarisë së saj dhe legjislacionin në fuqi;
2.Jep mendime, propozime dhe vlerësime për nismat ligjore apo politikat publike, të ndërmarra nga administrata qendrore, vendore dhe subjektet e tjera publike, përmbajtja e të cilave prek interesat e anëtarëve të saj.

Informon autoritetet përkatëse shtetërore për çështje të ndryshme, me qëllim parandalimin e konkurrencës së pandershme;
Mbikëqyr zbatimin e rregullave të pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare jashtë vendit nga subjektet tregtare, që përfaqësojnë vendin tonë në këto panaire;
Organizon dhe/ose merr pjesë në panaire dhe ekspozita me karakter vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar;
Krijon komisione këshilluese për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet anëtarëve të saj;
Nxit dhe ndihmon anëtarët e Dhomës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, tregtare dhe civile, nëpërmjet rrugës së ndërmjetësimit dhe arbitrazhit;
Mban regjistrin e anëtarësisë si dhe kryen funksione të tjera administrative në shërbim të anëtarëve të saj;
Neni 5

Forma të bashkëpunimit dhe të integrimit

Për arritjen e objektivave të saj, Dhoma bashkëpunon me administratën shtetërore, qëndrore dhe lokale, me institucione ndërkombëtare si dhe me shoqata dhe organizata të biznesit, vendase dhe të huaja.

Dhoma mund të marrë pjesë dhe të nëshkruajë marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi, të jetë pjesëmarrëse në programe dhe në projekte të ndryshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, me qëllim zhvillimin dhe integrimin europian dhe më gjerë të sipërmarrjes shqiptare.

Si anëtare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, Dhoma merr pjesë në të gjitha inisitivat që kanë për synim zhvillimin dhe promovimin e biznesit shqiptar.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Lezhe mund të anëtarësohet në organizma ndërkombëtarë të dhomave të tregtisë.

Dhoma gjithashtu mund te krijojë marrëdhënie partneriteti me dhoma të tjera të huaja, në kuadrin e programeve të përbashkëta.

KREU II

ORGANET DREJTUESE

Neni 6

Asambleja

Asambleja është organi më i lartë vendimmarrës i Dhomës. Ajo zgjidhet për një periudhë 4-vjeçare nga bashkësia e anëtarëve të Dhomës. Asambleja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Qarkut Lezhe përbëhet nga 41 anëtarë.

Asambleja e Dhomës zgjidhet nga bashkësia e anëtarëve të Dhomës, duke siguruar përfaqësimin e grupeve të biznesit sipas aktiviteteve:

Tregti
Ndërtim
Prodhim
Sherbime
Zgjedhjet organizohen të veçanta për çdo grup biznesi.

Përfaqësimi i veprimtarive të mësipërme bëhet në atë përqindje që zë çdo grup, kundrejt numrit të përgjithshëm të anëtarësisë në Dhomë.

Anëtarët e asamblesë janë persona, që kanë zotësi të plotë për të vepruar, gëzojnë reputacion në komunitetin e biznesit të zonës, që përfaqësojnë, dhe nuk kanë qenë të dënuar, me vendim gjykate të formës së prerë, për vepra penale.

Anëtarët e asamblesë duhet të jenë të autorizuar nga subjekti tregtar, që përfaqësojnë, për të përfaqësuar dhe ushtruar të drejtën e votës në asamblenë e Dhomës. Çdo subjekt tregtar ka të drejtë të përfaqësohet në asamblenë e Dhomës vetëm nga një anëtar.

Anëtari i Asamblesë e humbet mandatin kur:

Shkel dispozitat e këtij ligji dhe të ligjeve të tjera në fuqi, si dhe statutin e Dhomës;

Nëse brenda dt.31 Mars të vitit në vazhdim nuk ka paguar kuotën vjetore të anëtarësisë;

Subjekti të cilin përfaqëson, nuk ekziston më për shkak falimentimi, apo mbyllje të aktivitetit me vendim gjykate;

Nuk merr pjesë, pa pasur një motiv të justifikueshëm, në dy mbledhje të zakonshme të njëpasnjëshme të Asamblesë;

Kur jep dorëheqjen është në pamundësi për të ushtruar mandatin e tij (arsye shëndetësore, personale etj);

Dënohet nga gjykata me vendim te formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

Në rastin e largimit të një anëtari të Asamblesë, vendin e tij e zë personi i renditur me më shumë pikë në listën përfundimtare të votimit të grupit përkatës të biznesit (pas anëtarëve të Asamblesë të këtij grupi). Ku mbaron lista e kandidaturave të mundshme, atëherë

Asambleja vendos të bëhen zgjedhje të pjesshme për atë grup biznesi, me qëllim plotësimin e vendeve në Asamble.

Mandati i anëtarit të ri zgjat deri në përfundim të mandatit 4-vjecar të Asamblesë.

Zgjedhjet për Asamblenë e ardhshme duhet të zhvillohen brenda 45 ditëve para përfundimit të mandatit të Asamblesë aktuale.

Asambleja, në mbledhjen e saj të fundit, miraton rregullat dhe proçedurat per zgjedhjen e Asamblesë së re, të cilat hartohen dhe propozohen nga Kryesia.

Neni 7

Kompetencat e Asamblesë

Asambleja përcakton drejtimet kryesore të veprimtarisë së Dhomës si dhe kontrollon dhe nxjerr aktet përkatëse, në zbatim të ligjit dhe të këtij Statuti.

Asambleja në veçanti ka këto kompetenca:

Shqyrton dhe përcakton drejtimet kryesore të veprimtarisë së Dhomës.
Miraton statutin dhe ndryshimet e tij dhe ia dërgon ato për miratim ministrit që mbulon tregtinë.
Zgjedh nga anëtarët, me votime të fshehta e të veçanta, kryesinë, kryetarin e Dhomës, përfaqësuesit e Dhomës në asamblenë e Bashkimit të Dhomave, si dhe anëtarët e komisionit të auditimit.
4.Përcakton shpërblimet për kryetarin e Dhomës dhe komisionin e auditimit.

Miraton programin dhe buxhetin vjetor të Dhomës .
Shqyrton e miraton raportin vjetor të veprimtarive në përgjithësi, dhe të veprimtarisë fiananciare të Dhomës.
Miraton masën e kuotizacionit vjetor të anëtarëve.
Miraton akte të ndryshme për funksionimin dhe organizimin e Dhomës.
Neni 8

Funksionimi i Asamblesë

Mbledhjet e asamblesë janë të zakonshme dhe të jashtëzakonshme.

Asambleja e zakonshme mblidhet të paktën një herë në vit, brenda muajit Mars, për aprovimin e projektbuxhetit dhe programit të vitit të ardhshëm.

Mbledhja thirret nga kryetari, me kërkesë të kryesisë së Dhomës, e cila cakton edhe rendin e ditës së mbledhjes së asamblesë. Kur kryetari, brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës, nuk mbledh asamblenë, atëherë kryesia e Dhomës ka të drejtë ta mbledhë vetë asamblenë, duke e lajmëruar për datën, orën, vendin dhe rendin e ditës së mbledhjes. Dërgimi i materialeve dhe njoftimi për datën e mbledhjes bëhet të paktën një javë para ditës kur do të zhvillohet mbledhja. Ky njoftim, përfshirë dhe materialet e mbledhjes, mund të kryhet dhe në formë elektronike ne internet, në faqen zyrtare të Dhomës.

Mbledhjet e asamblesë përfaqësuese drejtohen nga Kryetari i Dhomës.

Asambleja e jashtëzakonshme mblidhet me kërkesë të kryetarit dhe/ose kryesisë, apo kur këtë e kërkon 1/3 e anëtarëve të saj. Rendi i ditës së asamblesë së jashtëzakonshme caktohet nga kërkuesi/t.

Kur kryetari, brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës nga subjektet e përcaktuara në paragrafin më lart, nuk mbledh asamblenë, atëherë kërkuesi ka të drejtë ta mbledhë vetë atë, duke e lajmëruar për datën, orën, vendin dhe rendin e ditës së mbledhjes.

Mbledhja e asamblesë është e vlefshme kur në të marrin pjesë më tepër se gjysma e anëtarëve të saj. Vendimet janë të vlefshme kur për to votojnë pro më shumë se gjysma e anëtarëve të pranishëm (50%+1).

Statuti dhe ndryshimet e tij miratohen me shumicën e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Asamblesë (minimalisht 22 vota).

Votimi mund të jetë i hapur ose i fshehtë. Kur votimi është i hapur, anëtarët e Asamblesë shprehin votën me gojë ose duke ngritur dorën.

Vendimet e Asamblesë shënohen në një procesverbal, i cili nënshkruhet nga kryetari i Dhomës dhe sekretari i mbledhjes i cili eshte punonjës i administrates së Dhomës dhe emërohet nga Kryetari.

Asambleja krijon Komisionin e Mandateve i cili verifikon respektimin e mandatit, shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me mandatin të anëtarit si dhe paraqet raportin përkatës në Asamble.

Asambleja mund të krijojë dhe komisione të tjera të veçanta, të përbëra nga vetë anëtarët e Asamblesë, me qëllim trajtimin e çështjeve me rëndësi për aktivitetin e Dhomës. Këto Komisione kanë një rol rekomandues dhe propozues, dhe mund të jenë të përhershme (gjatë gjithë mandatit të Asamblesë), ose të përkohshme

Neni 9

Kryesia e Dhomës

Kryesia e Dhomës përbëhet nga Kryetari i Dhomës dhe nga 8 anëtare, të cilët zgjidhen me votim të fshehtë nga Asambleja.

Kryesia zgjidhet për një periudhë katërvjeçare, që përputhet me kohëzgjatjen e mandatit të Asamblesë.

Në Kryesi sigurohet përfaqësimi i të kater grupeve të biznesit(tregti, ndertim, shërbime, dhe prodhim).

Anëtarët e Kryesisë (me përjashtim të Kryetarit) nuk mund të jenë funksionarë ekzekutive në administratën e Dhomës.

Humbja e mandatit si anëtar i Asamblesë sjell automatikisht humbjen e mandatit si anëtar i Kryesisë.

Neni 10

Kompetencat e Kryesisë

Kryesia është organi ekzekutiv i Dhomës. Ajo ka këto kompetenca:

a) Miraton programet e punës, që lidhen me detyrat dhe objektivat e Dhomës.
b) Miraton strukturën organizative të aparatit administrativ të Dhomës, funksionet dhe pagat e punonjësve
c) Miraton rregulloren e brendshme të aparatit administrativ të Dhomës.
ç) Shqyrton programin vjetor financiar dhe buxhetin përpara se t’i paraqitet asamblesë për miratim.

d) Cakton shpërblimet për shërbimet, që kryejnë ekspertët e jashtëm.
dh) Cakton rregullat për përdorimin e fondeve dhe administrimin e tyre.
e) Propozon ndryshimet në statutin e Dhomës.
ë) Përcakton rendin e ditës së mbledhjes së asamblesë së Dhomës.

f) Merr vendime për të gjitha çështjet, që shtrohen për shqyrtim në kryesi nga kryetari dhe/ose sekretari i Dhomës.
Kryesia është përgjegjëse për:

– zbatimin e vendimeve të asamblesë;

– mbarëvajtjen e veprimtarisë së Dhomës.

Neni 11

Funksionimi i Kryesisë

Kryesia, si rregull, mblidhet jo më pak se një herë në muaj nga kryetari i Dhomës ose me kërkesë të 1/3 së anëtarëve. Njoftimi dhe dërgimi i materialeve bëhet të paktën 7 ditë para datës së caktuar për mbledhje.

Mbledhja e kryesisë është e vlefshme kur në të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve.

Mbledhja e Kryesisë drejtohet nga kryetari. Kryesia zgjedh midis anëtarëve të saj, një përfaqësues që do të drejtojë mbledhjet e saj në rastet kur mungon Kryetari.

Vendimet e kryesisë janë të vlefshme kur për to votojnë pro më shumë se gjysma e anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Në çdo rast nuk pranohet delegimi i votës.

Vendimet e kryesisë nënshkruhen nga kryetari ose, në mungesë të tij, nga anëtari i caktuar për të drejtuar mbledhjen.

Kryesia nxjerr çdo akt tjetër, për realizimin e funksionit dhe veprimtarisë së saj, të parashikuar nga ligji ose statuti, kur nxjerrja e aktit nuk hyn në kompetencat e asamblesë ose të kryetarit.

Anëtari i Kryesisë, që nuk merr pjesë në katër mbledhje gjatë vitit kalendarik, humbet të drejtën për të qënë anëtar i Kryesisë në vazhdim të mandatit të saj. Anëtari zëvendësues zgjidhet nga Asambleja.

Në mbledhjet e Kryesisë mund të marrin pjesë, pa të drejtë vote, edhe Sekretari dhe anëtarët e Komisionit të Auditimit (këta të fundit vetëm kur diskutohen çështje që kanë të bëjnë me financat e Dhomës). Gjithashtu në mbledhje mund të ftohen të marrin pjesë dhe funksionarë të administratës së dhomës, prania e të cilëve është e domosdoshme për çështjet që do të trajtohen.

Neni 12

Kryetari i Dhomës

Kryetari i Dhomës zgjidhet me votim të fshehtë nga Asambleja, për një periudhë katërvjeçare. Kryetari zgjidhet midis anëtarëve të Asamblesë, brenda 10 ditësh nga formimi i Asamblesë . Kryetar i Dhomës mund të zgjidhet çdo shtetas shqiptar, që ka zotësi të plotë për të vepruar, ka mbaruar arsimin e lartë, si dhe ka treguar aftësi të dukshmë në fushën e biznesit, në fushat akademike apo në administrim.

Kryetari i Dhomës pas përfundimit të mandatit, gëzon të drejtën të jetë anëtar i Asamblesë së ardhshme, pa iu nënshtruar proçedurave te zgjedhjes.

Kryetari drejton veprimtarinë e Dhomës dhe kryesinë e saj. Ai është përfaqësuesi ligjor i Dhomës në marrëdhëniet me të tretët, si dhe përgjigjet për aktivitetin, administrimin dhe funksionimin e Dhomës.

Ai është funksionar dhe paguhet nga Dhoma.

Neni 13

Funksionet dhe kompetencat e Kryetarit

Kryetari kryen këto funksione:

Përfaqëson Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë të Qarkut Lezhe në të gjithë aktivitetet që kryen kjo e fundit, si dhe në takime zyrtare te nivelit të lartë, delegacione qeveritare, etj. Kryetari gjithashtu përfaqëson Dhomën në Këshillin Konsultativ të Biznesit.

-Thërret dhe drejton mbledhjet e Asamblesë dhe të Kryesisë.

-Paraqet çdo vit para Asamblesë raportin vjetor të aktivitetit të Dhomës si dhe projektprogramin për vitin e ardhshëm;

– Organizon, drejton dhe mbikqyr drejtpërsëdrejti aktivitetin e administratës së Dhomës, si dhe ndan detyrat për çdo departament apo njësi tjetër të kësaj administrate, sipas percaktimeve të Rregullores së Dhomës.

-Organizon punën për zbatimin e vendimeve të Asamblesë dhe të Kryesisë;

-Cakton dhe delegon përfaqësues të Dhomës në organizma, komisione borde etj, ku Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Lezhe është anëtare.

– Përfaqëson Dhomën në marrëdhëniet e punësimit.

Neni 14

Sekretari i Dhomës dhe kompetencat e tij

Sekretari i Dhomës emërohet dhe shkarkohet me urdhër të ministrit përgjegjës për tregtinë.

Sekretari i Dhomës duhet të jetë shtetas shqiptar, me arsim të lartë dhe të mos ketë qenë i dënuar, me vendim gjykate të formës së prerë, për vepra penale.

Sekretari i Dhomës është funksionar me kohë të plotë dhe paguhet nga buxheti i Dhomës.

Sekretari i Dhomës ka këto kompetenca:

Njofton periodikisht organin mbikëqyrës për veprimtarinë e Dhomës.
Ndjek respektimin nga Dhoma të dispozitave të këtij ligji dhe të ligjeve të tjera në fuqi.
Ndjek zbatimin e vendimeve të kryesisë dhe të asamblesë së Dhomës.
Ndjek procedurat e regjistrimit të anëtarësisë së subjekteve tregtarë në Dhomë;
Ushtron çdo kompetencë tjetër, të parashikuar me ligj.
Në rastet kur vëren shkelje të ligjshmërisë në vendimet e marra nga organet e Dhomës njofton organin mbikëqyrës, i cili brenda 30 ditëve nga vënia në dijeni, u kërkon këtyre organeve rishikimin e vendimeve të marra.

Neni 15

Komisioni i Auditimit

Komisioni i auditimit zgjidhet për një periudhë 4-vjeçare dhe përbëhet nga 3 anëtarë, nga të cilët njëri është ekspert kontabël i autorizuar dhe emërohet nga ministri përgjegjës për tregtinë, ndërsa dy të tjerët zgjidhen nga asambleja e Dhomës, njëri me profesion jurist dhe tjetri me profesion ekonomist. Në mbledhjen e tij të parë

Komisioni zgjedh kryetarin e tij. Në rastin kur një nga anëtarët e zgjedhur të Komisonit nuk mund të ushtrojë detyrën, Kryetari i Dhomës fillon proçedurat për zgjedhjen e anëtarit të ri nga Asambleja.

Me ftesë të Kryetarit të Dhomës, anëtarët e Komisionit të Auditimit marrin pjesë në mbledhjet e Kryesisë.

Për kryerjen e aktivitetit të tij, Komisioni bashkëpunon me administratën e Dhomës. Për këtë qëllim Komisionit i vihet në dispozicion çdo akt dhe dokument administrativ dhe financiar i Dhomës.

Komisioni i auditimit ka për detyrë të kontrollojë, në vazhdimësi, veprimtarinë ekonomiko-financiare të Dhomës dhe të raportojë në mbledhjen vjetore të asamblesë për administrimin e mjeteve dhe të burimeve financiare të Dhomës. Raportet e Komisionit miratohen dhe firmosen nga të paktën dy prej anëtarëve të tij.

Pas miratimit në Asamble raporti i komisionit të auditimit i dërgohet për njoftim organit mbikëqyrës.

Me kërkesë të Kryetarit, të Asamblesë dhe të Asamblese të Dhomës, komisioni mund të ushtrojë kontroll tematik.

Anëtarët e Komisionit të Auditimit mbajnë përgjegjësi për aktet e kontrollit dhe detyrat që kryejnë gjatë mandatit të tyre.